BBC: Në kampin e muxhahedinëve në Shqipëri, ku opozitarëve të Iranit nuk u lejohet të mendojnë për seksin

“Prej gjashtë vjetësh, Shqipëria është shtëpia e një prej grupeve kryesore të opozitës në Iran, Muxhahedinë-e-Khalq, ose MEK. Por qindra anëtarë janë larguar – disa janë ankuar për rregullat e ngurtë të organizatës që zbatojnë beqarinë dhe kontrollin mbi kontaktin me familjen. Tani, dhjetëra të tjerë ankohen në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, në pamundësi për t’u rikthyer në Iran ose për të vazhduar jetën e tyre”. Kështu e nis BBC shkrimin e saj mbi muxhahedinët në kampin e Manzës.
“Unë nuk kam folur me gruan dhe djalin tim për 37 vjet – ata mendonin se kisha vdekur. Por unë u thashë atyre:” Jo, unë jam gjallë, jetoj në Shqipëri … “Ata qanë“.

MEK women in Albania

Kontakti i parë përmes telefonit me familjen e tij pas kaq vitesh ishte i vështirë edhe për Gholam Mirzai.
Ai është akuzuar nga ish-shokët e tij muxhahedinë se spiunonte për llogari të armikut të tyre të betuar, qeverinë e Republikës Islamike të Iranit.
MEK ka një histori të trazuar dhe të përgjakshme. Si radikalë islamistë-marksistë, anëtarët e MEK mbështetën revolucionin iranian të vitit 1979 që përmbysi Shahun. Por marrëdhëniet me Ajatollahun Khomeini, që kishte marrë pushtetin, u prishëm shpejt.
Iraku fqinj u ofroi strehë dhe nga kështjella e tyre e shkretëtirës gjatë luftës Iran / Irak (1980-1988), MEK luftuan në anën e Saddam Huseinit kundër atdheut të tyre.
Gholam Mirzai ka shërbyer në ushtrinë iraniane kur u kap nga forcat e Saddam Hussein në fillim të këtij konflikti. Ai kaloi tetë vjet si i burgosur i luftës në Irak. Por me kalimin e kohës, të burgosurit iranianë si Mirzai u inkurajuan të bashkojnë forcat me bashkatdhetarët e tyre. Dhe kjo është ajo që ai bëri.
Mirzai tani është një “i shkëputur” – një nga qindra ish-anëtarët e MEK që janë larguar nga organizata që kur u transferuan në Shqipëri. Me ndihmën e fondeve nga familja, disa kanë paguar kontrabandistë njerëzish për t’i çuar diku tjetër në Evropë. Por dhjetëra mbeten në Tiranë, pa shtet dhe pa mundësi për të punuar.
Si arritën në këtë cep të Europës, anëtarët e MEK – dikur një organizatë terroriste e cilësuar e tillë nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa?
Në vitin 2003, pushtimi aleat i Irakut u kthye në rrezik për jetët e anëtarëve të MEK. Mbrojtësi i organizatës, Saddam Hussein, papritmas nuk ishte më dhe muxhahedinët u sulmuan vazhdimisht – qindra u vranë dhe u plagosën. Nga frika e një fatkeqësie edhe më të rëndë humanitare, amerikanët iu afruan qeverisë shqiptare në 2013 dhe e bindën atë të strehojë rreth 3 000 anëtarë të MEK në Tiranë.
“Ne u kemi ofruar atyre strehim nga sulmet dhe abuzimet, dhe mundësinë për të pasur një jetë normale në një vend ku ata nuk ngacmohen apo sulmohen“, thotë Lulzim Basha, kreu i Partisë Demokratike, e cila ishte në qeveri në atë kohë, dhe tani është në opozitë.
Në Shqipëri, politika është thellësisht e polarizuar – gjithçka kontestohet. Por, pothuajse në mënyrë unike, prania e MEK nuk është kontestuar – publikisht, partitë qeverisëse dhe ato opozitare i kanë mbështetur mysafirët iranianë.

Për MEK, Shqipëria ishte një mjedis plotësisht i ri. Gholam Mirzai mbeti i habitur që edhe fëmijët kishin telefona celularë. Dhe për shkak se disa nga muxhahedinët ishin strehuar fillimisht në apartamente në periferi të kryeqytetit, kontrolli i organizatës mbi anëtarët e tij ishte më i lirshëm seç kishte qenë më parë. Në Irak, ai ka kontrolluar çdo aspekt të jetës së tyre, por këtu, përkohësisht, ekzistonte një shans për të pasur njëfarë lirie.
“Kishte një shesh pas banesave ku komandantët na thanë që duhet të bënim stërvitje të përditshme,” kujton Hassan Heyrany, një tjetër “i shkëputur”.
Heyrany dhe kolegët e tij përdorën mbulesën e pemëve dhe shkurreve për t’u përvjedhur në internet-kafenë më të afërt , nga ku ranë në kontakt me familjet e tyre.

blank

“Kur ishim në Irak, nëse donim t’i telefononim shtëpisë, MEK na quante të dobët – ne nuk kishim marrëdhënie me familjet tona,” thotë ai. “Por kur erdhëm në Tiranë, gjetëm internetin për përdorim personal.”
Megjithatë, në fund të vitit 2017, MEK u zhvendos në vendstrehimin e ri. Kampi është ndërtuar pranë një kodre rreth 30 km (19 milje) nga kryeqyteti Tiranë. Pas portave imponuese, prej hekuri, ndodhet një hark mermeri mbresëlënës, ku janë gdhendur luanë të artë. Një bulevard i rrethuar me pemë të çon në një memorial kushtuar mijëra njerëzve që kanë humbur jetën në luftën e MEK kundër qeverisë iraniane.
Gazetarët e paftuar nuk janë të mirëpritur këtu. Por në korrik të këtij viti, mijëra morën pjesë në eventin e MEK, Irani i Lirë, që u mbajt në kamp. Politikanë nga e gjithë bota, shqiptarë me ndikim dhe njerëz nga fshati i afërt i Manzë, u bashkuan me mijëra anëtarë të MEK dhe drejtuesen e tyre, Maryam Rajavi, në auditor. Avokati personal i Presidentit amerikan Donald Trump, Rudy Giuliani, mbajti një fjalim.
“Këta janë njerëz që i janë dedikuar lirisë,” tha ai, duke iu referuar anëtarëve të MEK të veshur të gjithë njësoj.
“Dhe nëse mendoni se është një kult, atëherë me ju ka diçka që nuk shkon“, shtoi ai.
Politikanë të fuqishëm si Giuliani mbështesin qëllimin e MEK për ndryshimin e regjimit në Iran. Manifesti i lëvizjes përfshin një angazhim për të drejtat e njeriut, barazinë gjinore dhe demokracinë pjesëmarrëse për Iranin.
Por Hassan Heyrany nuk është më dakord me këtë. Vitin e kaluar ai u largua nga MEK, duke hedhur poshtë atë që ai e shihte si kontrolli shtypës i udhëheqjes në jetën e tij private. Heyrany ishte bashkuar me muxhahedinët në të 20-tat e tij, i tërhequr nga angazhimi i saj ndaj pluralizmit politik.
“Ishte shumë tërheqëse. Por nëse beson te demokracia, nuk mund të shtypësh shpirtin e anëtarëve“, thotë ai.
Çdo mbrëmje kishte një takim të MEK, ku Heyrany ishte i detyruar të marrë pjesë.
“Ne kishim një bllok të vogël shënimesh, dhe nëse do të kishim ndonjë moment seksual, duhej të shkruanim çdo gjë. Për shembull, ‘sot, në mëngjes, kam pasur një ereksion.”
Marrëdhëniet romantike dhe martesa janë të ndaluara nga MEK. Jo gjithmonë ka qenë kështu – prindërit dhe fëmijët e tyre dikur u bashkuan me muxhahedinët. Por pas humbjes së përgjakshme të një ofensive të MEK nga iranianët, udhëheqja argumentoi se gjithçka kishte ndodhur sepse muxhahedinët ishin hutuar nga marrëdhëniet personale. Pasoi divorci masiv. Fëmijët u dërguan larg – shpesh në vendstrehime në Evropë – dhe anëtarët e vetëm të MEK u zotuan të qëndronin të ndarë.
Në bllokun e shënimeve, Heyrany thotë se ata gjithashtu duhej të shkruanin çdo ëndërr personale.
“Për shembull, ‘kur pashë një fëmijë në televizor, pata dëshirën të kisha një fëmijë ose një familje timen“.
Dhe muxhahedinët duhej t’i lexonin shënimet e tyre para komandantit dhe shokëve në mbledhjen e përditshme.
“Kjo është shumë e vështirë për një person“, thotë Heyrany.
Tani ai e krahason kampin MEK në Manzë me “Fermën e kafshëve” të George Orwell, një kritikë për epokën staliniste në ish-Bashkimin Sovjetik. “Është një kult”, thotë ai thjesht.
Një burim diplomatik në Tiranë e përshkroi MEK si “një grup unik kulturor – jo një kult, por si kult“.
BBC nuk arriti të kontaktonte sepse organizata nuk pranoi të intervistohej. Por në Shqipëri, një komb që duroi një regjim shtypës, të mbyllur, komunist për dekada, ekziston njëfarë simpatie për pozicionin e udhëheqjes së MEK – të paktën për ndalimin e marrëdhënieve personale.
“Në situata ekstreme, bëhen zgjedhje ekstreme,” thotë Diana Çuli, shkrimtare dhe aktiviste e grave dhe ish-deputete e Partisë Socialiste në pushtet.
“Ata janë zotuar të luftojnë tërë jetën për çlirimin e vendit të tyre nga një regjim totalitar. Ndonjëherë ne e kemi të vështirë të pranojmë besimin e fortë për një kauzë. Kjo është sakrificë personale, dhe është një mentalitet që unë e kuptoj“.
Megjithatë, ka shqiptarë që shqetësohen se prania e MEK mund të jetë kërcënim për sigurinë kombëtare.
Dy diplomatë iranianë u dëbuan pas akuzave për komplote të dhunshme kundër muxhahedinëve, dhe Bashkimi Evropian ka akuzuar Teheranin se ishte pas komploteve për të vrarë kundërshtarët e regjimit, përfshirë anëtarët e MEK, në tokën holandeze, daneze dhe franceze. (Ambasada iraniane në Tiranë hodhi poshtë kërkesën e BBC për një intervistë.)
Një burim shumë i sigurt në Partinë Socialiste është gjithashtu i shqetësuar se shërbimet e inteligjencës nuk kanë aftësitë e mjaftueshme për të monitoruar më shumë se 2 500 anëtarë të MEK, të trajnuar ushtarakisht.
“Askush me tru në kokë nuk do t’i pranonte ata këtu,” thotë ai.
Një diplomat thotë se disa prej “të shkëputurve” me siguri po punojnë për Iranin. Gholam Mirzai dhe Hassan Heyrany vetë janë akuzuar nga MEK se janë agjentë për Teheranin. Këtë akuzë, ata e mohojnë.
Tani të dy janë të përqendruar te e ardhmja. Me ndihmën e familjes në Iran, Heyrany po hap një kafene, dhe ka një lidhje me një shqiptare. Në moshën 40 vjeç, ai është më i ri se shumica e kolegëve të tij dhe mbetet optimist.

Gholam Mirzai
Gholam Mirzai

Situata e Gholam Mirzai është më e pasigurt. Shëndeti i tij nuk është i mirë – ai ecën me një këmbë pasi u prek në një nga bombardimet e kampit të MEK në Irak – dhe ai ka pak para.
Ai është i trazuar nga gabimet që ka bërë në jetën e tij – dhe nga diçka që e zbuloi kur filloi të kontaktonte me familjen e tij.
Kur Mirzai u largua për të shkuar në luftë kundër Irakut në 1980, ai kishte një djalë një muajsh. Pasi mbaroi lufta Iran/Irak, gruaja e tij dhe anëtarët e tjerë të familjes shkuan në kampin e MEK në Irak për të kërkuar Mirzain. Por MEK i largoi ata dhe nuk i tha atij asgjë për vizitën e tyre.
Ky burrë 60-vjeçar kurrë nuk e diti që ishte një baba të cilit i ndihej mungesa derisa e bëri telefonatën e parë në shtëpi pas 37 vjetësh.
“Ata nuk më thanë që familja ime erdhi të më kërkonte në Irak. Ata nuk më thanë asgjë për gruan dhe djalin tim,” thotë ai.
“Të gjitha këto vite kam menduar për gruan dhe djalin tim. Ndoshta ata vdiqën në luftë … Unë thjesht nuk e dija.”
Djali që ai nuk e ka parë nga afër që kur ishte një bebe e vogël tani është gati 40 vjeç. Dhe Mirzai tregon me krenari një fotografi të këtij burri të rritur në WhatsApp-in e tij. Por kontakti i ripërtërirë ka qenë gjithashtu i dhimbshëm.
“Kam qenë unë përgjegjës për këtë situatë – ndarjen. Nuk më zë gjumi natën, sepse mendoj për ta. Unë jam gjithmonë nervoz, i inatosur. Më vjen turp nga vetja“, thotë Mirzai.
Nuk është e lehtë të jetosh me turpin. Dhe ai ka vetëm një dëshirë tani.
“Dua të kthehem në Iran, të jetoj me gruan dhe djalin tim. Kjo është dëshira ime.”
Gholam Mirzai ka shkuar në ambasadën iraniane në Tiranë për të kërkuar ndihmë, dhe familja e tij ka lobuar te autoritetet në Teheran. Ai nuk ka ende asnjë përgjigje. Kështu që ai pret – pa shtetësi, pa pasaportë dhe ëndërron për familjen e tij.
BBC/ Përgatiti Gazmira Sokoli, Tema

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button