Shkëlqesia e tij z. Edi Rama!
I nderuar Kryeministër i Republikës së Shqipërisë!
Përshëndetje dhe respekte!
Unë, Ebrahim Khodabandeh, drejtori menaxhues i Shoqatës Nexhat (Shpëtimi) në Iran, në emër të familjeve të anëtarëve të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit me qendër në kampin e mbyllur dhe të largët të kësaj organizate në Shqipëri, dëshiroj t’ju paraqes disa informacione që unë besoj se mund të jenë të dobishme nga aspekti i interesave kombëtare të Shqipërisë. Jam në dijeni që ju jeni relativisht të njohur me aktivitetet e familjeve që janë anëtarë të Shoqatës Nexhat në Iran, si dhe me aktivitetet e mia si drejtor menaxhues i kësaj shoqate dhe përfaqësues i këtyre familjeve. Shoqata Nexhat është një organizatë joqeveritare për të drejtat e njeriut dhe qëllimi ynë është të çmontojmë marrëdhëniet sektare brenda Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit dhe t’i japim fund shkeljes së rëndë dhe sistematike të të drejtave më elementare njerëzore të anëtarëve të MEK.
Ndonëse synimi ynë është përmbushja e një kërkese që ka të bëjë tërësisht me të drejtat e njeriut, por në situatën aktuale nuk mund të jemi indiferentë ndaj zhvillimeve dhe tensioneve politike në Shqipëri, të cilat kanë bërë që familjet e anëtarëve të MEK të shqetësohen. Procesi i zhvillimit të ngjarjeve në Shqipëri nuk duket shumë i favorshëm nga pikëpamja e sigurisë politike dhe kombëtare. Historia e tensioneve nisi kur Shqipërisë iu imponua prania e një sekti destruktiv, i quajtur Organizata Muxhahedin-e-Khalk, dhe këto tensione u intensifikuan kur kjo organizatë drejtoi aktivitete subversive dhe terroriste kundër Iranit nga territori i Shqipërisë dhe zyrtarisht dhe publikisht mori përgjegjësinë për ato akte. Një nga rastet e fundit të këtij lloji aktivitetesh u publikua në faqen zyrtare të MEK, e cila pretendon se celula rebele (celula terroriste) të MEK brenda vendit, sulmuan ndërtesën e Gjyqësorit iranian më 2 shtator të këtij viti dhe e hodhën në erë.
Pavarësisht se sa i saktë është ky pretendim, pranimi i përgjegjësisë së një sulmi terrorist dhe sabotazhi të drejtuar nga territori shqiptar nga MEK, ka pasoja penale për qeverinë pritëse që mbështet atë organizatë. Qeveria shqiptare është padyshim përgjegjëse për veprime të tilla gjatë muajve të fundit, përfshirë sulmet kibernetike në Iran, të cilat MEK i ka pranuar dhe propaganduar zyrtarisht. Pyetjet e mia janë: A u përfshinë në marrëveshjet dypalëshe të tilla veprime, kur pretendohet se MEK u pranua në Shqipëri për arsye humanitare? A po kërkonte që në fillim Shqipëria një konflikt me Republikën Islamike të Iranit duke pranuar Muxhahedinët e Popullit në territorin e saj dhe duke e lejuar këtë sekt të bënte veprimet e lartpërmendura? A dëshiron Shqipëria, e cila aspiron të hyjë në Bashkimin Evropian, të presë në territorin e saj një sekt terrorist që funksionon me norma mesjetare?
Nëse përgjigja e pyetjeve të mësipërme është negative, atëherë duhet të merren masa që askush të mos ketë një konsiderim të ndryshëm. Hapi i parë, besojmë se mund të jetë prishja e marrëdhënieve sektare brenda kampit të Muxhahedinëve të Popullit dhe respektimi i të drejtave të njeriut në këtë kamp, dhe lidhja e anëtarëve të tij me botën e jashtme, veçanërisht me familjet e tyre, gjë që ka qenë gjithmonë dëshira e Shoqatës Nexhat.
Me respekt të sinqertë
Ebrahim Khodabandeh, CEO i Shoqatës Nexhat
Kjo letër i dërgohet në kopjo:
Bajram Bagaj, President
Bledar Çuçi, Ministër i Brendshëm
Nasib Naço, Kreu i Komisionit të Sigurisë Kombëtare në Parlamentin e Shqipërisë