Lufta kundër terrorizmit e sulmet kibernetike, policia kontroll në kampin e MEK në Manzë të Durrësit! Report Tv sjell pamjet nga aksioni

Policia e Shtetit me vendim të GJKKO-së dhe urdhër të SPAK, po kryen kontrolle të të gjitha ambienteve dhe zyrave në kampin e MEK, në Manzë të Durrësit, ku janë strehuar aktivistë të opozitës iraniane

DURRËS- Prej mëngjesit të sotëm (20 qershor) policia e shtetit ka zbarkuar në kampin e MEK dhe në Manëz, Durrës për të ushtruar kontrolle në të gjitha ambientet dhe zyrat ku janë strehuar aktivistë të opozitës iraniane.

Përmes një njoftimi për shtyp policia e shtetit informon se kontrollet bëhen në kuadër të një plani operacional në zbatim të urdhër-kontrolleve të nxjerra nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar

“Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe të urdhrit të ekzekutimit të Prokurorisë pranë kësaj Gjykate, për kontrollin e të gjitha ambienteve dhe zyrave ku banojnë për qëllime humanitare, Policia e Shtetit, në kuadër të një plani operacional, ka filluar kontrollin e të gjitha ambienteve dhe zyrave në kampin MEK, në Manëz, Durrës.”

Burime nga blutë për Report Tv, bëjnë me dije se urdhri i kontrolleve bëhet në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe parandalimin e sulmeve kibernetike. Ndërsa policia kujdeset të thotë se ky kontroll po bëhet duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të atij komuniteti

‘Në zbatim të urdhër-kontrolleve të nxjerra nga Gjykata, Policia e Shtetit ka marrë masa për zbatimin e tyre, me planin e kontrollit të ambienteve në territorin e kampit MEK, duke zbatuar me rigorozitet etikën dhe komunikimin e duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve dhe komunitetit që banon në këtë kamp.’- njofton policia.

Në kampin e MEK ka mbërritur edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku. Report Tv sjell edhe pamjet nga kontrolli i policisë në kampin e muxhahedinëve në Manzë.
Kampi ‘ASHRAF 3’ prej vitit 2013 strehon rreth 3000 opozitarë iranianë!

Kujtojmë se Shqipëria në shtator të vitit 2022 ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin! Ndërprerja erdhi pasi sipas qeverisë shqiptare kishte prova të pakundërshtueshme se Irani ka financuar sulmin kibernetik ndaj shërbimeve online, gjë që nga ndikuar në marrjen e vendimit për të prishur marrëdhëniet zyrtare me këtë shtet. Hakerat iranianë publikuan video dhe te dhënë sensitive në faqen ‘Homeland Justice’.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button