Merren në pyetje 10 muxhahedinë,

Prokuroria kërkon sekuestrimin e kamerave të sigurisë në kampin e MEK

Dhjetë muxhahedinë irananë janë marrë në pyetje ditën e sotme nga Prokuroria e Durrësit në lidhje me përplasjet në kampin e MEK, dy ditë më parë.

Burime për media bëjnë me dije se anëtarët e MEK janë marrë në pyetje në lidhje me akuzat që kanë bërë për policinë, ku pretendojnë se efektivët kanë ushtrauar dhunë ndaj tyre.

Prokuroria për të faktuar pretendimet e muxhahedinëve për dhunë, apo atë që thotë policia se s’ka pasur dhunë, kërkon të shqyrtojë kamerat e sigurisë brenda kampit të MEK. Për këtë prokuroria duhet të bëjë një kërkesë përfaqësuesve të muxhahedinëve për t’u dhënë pamjet e kamerave të sigurisë.

Pritet që në pyetje në lidhje me këtë çështje të merren në pyetje dhe disa persona të tjerë. Dy ditë më parë Policia e Shtetit dhe Forcat Speciale me urdhër të Gjykatës, kryen një aksion në kampet Ashraf-3 dhe Ashraf-4 të vendosura në Manëz të Durrësit, ku banojnë thuajse 3000 opozitarë iranianë nga “Muxhahedeen-e- Khalq” (MEK), një grup i rezistencës iraniane që mbështet krijimin e një qeverie të re në Teheran.

Situata në fillim ishte e qetë, por më pas muxhahedinët në mënyrë të dhunshme kundërshtuan ndërhyrjen e policisë si dhe sekuestrimin e pajisjeve elektronike. Një person humbi jetën. Në lidhje me këtë ministri i Brendshëm Bledi Çuçi tha se nuk është ushtruar dhunë ndaj anëtarëve të MEK dhe se personi në fjalë ka humbur jetën për shkaqe natyrore, teksa pritet që ekspertiza të flasë.

Po ashtu u publikuan pamjet nga aksioni i policisë, ku shihej qartë sesi muxhahedinët sulmonin me shkopinj dhe sende të forta makinat e oficerëve, ndërsa të tjerë janë kapur duke agjësuar me djegie disa dokumente.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button