Izolimi nuk është gjithmonë vetëm fizik; ai shpesh mund të jetë një ndarje e thellë emocionale dhe mendore, që prek edhe lidhjet më të forta njerëzore. Në Kampin Ashraf 3, një nga pasojat më të rënda të këtij izolimi është ndalimi i kontaktit me familjen. Ky realitet për anëtarët e kampit ka krijuar një mjedis ku lidhjet gjaku, që për shumicën e njerëzve janë burim ngushëllimi dhe dashurie, janë të ndërprera dhe të largëta.
Anëtarët e Ashraf 3 janë të detyruar të heqin dorë nga mundësia për të komunikuar me familjarët e tyre për t’iu përkushtuar plotësisht një kauze ideologjike. Ndalimi i çdo forme komunikimi me botën jashtë kampit nuk është vetëm një akt kufizimi, por një formë e kontrollit mbi emocionet dhe identitetin e tyre. Të larguar nga njerëzit që i kanë rritur dhe përkujdesur për ta, ata përballen me një ndarje që prek thellë brendinë e tyre dhe formon një ndjenjë të re izolimi — një izolim shpirtëror.
Mund të themi se për të gjithë ata që janë pjesë e këtij kampi, mungesa e kontaktit me familjen përbën një humbje të një elementi jetik të jetës. Në shumë kultura, sidomos në ato tradicionale si ajo shqiptare dhe iraniane, lidhjet familjare janë burim identiteti dhe mbështetje emocionale. Familja nuk është vetëm një institucion social, por edhe një hapësirë ku individët gjejnë veten, ndjejnë dashuri të pakushtëzuar dhe përkujdesje. Të privuar nga kjo mundësi, anëtarët e Ashraf 3 përballen me një formë të zhveshur të ekzistencës, ku dashuria dhe përkujdesja janë zëvendësuar me përkushtim ideologjik.
Kjo ndarje e imponuar i godet rëndë edhe ata që kanë mbetur jashtë kampit. Familjet e këtyre individëve janë të detyruara të jetojnë me dhimbjen e heshtjes dhe mungesës së informacionit. Shumë prindër, fëmijë, apo të afërm përpiqen të gjejnë mënyra për të kontaktuar me të dashurit e tyre, për të ditur nëse janë mirë apo për t’u siguruar se nuk janë humbur krejtësisht. Kjo përpjekje shpesh mbetet e kotë, pasi kontaktet janë ndaluar nga kampi dhe çdo lidhje me botën e jashtme shihet si kërcënim për strukturën e brendshme të tij.
Brikela Sulollari