MEK mban peng vajzën time prej 21 vitesh

Nga FX-MEDIA

Iraniani Mostafa Mohammadi babai i 38-vjeçares    Sommayeh Mohammadi,  i shkruan edhe kryeministrit Rama, për lirimin e së bijës.nëpërmjet    Z. Agron Sojatit, këshilltarit të kryeministrit mbi anti-terrorizmin.

Ja ku eshte letra e plote e Mostafa Mohammadit per Agron Sojatin

blank

blank

Kërkesë

Objekti:        Lirimi dhe deradikalizimi i vajzës sonë Sommayeh Mohammadi, refugjate humanitare në kampin moxhahedin në Durrës

Për:            Z. Agron Sojati

Këshilltar i kryeministrit mbi anti-terrorizmin

Koordinator kombëtar kundër ekstremizmit të dhunshëm

Kryeministria, Bulevardi Dëshmorët e Kombit, Tiranë

I nderuar z. Agron Sojati

Ne, prindërit kanadezë të Sommayeh Mohammadit, një vajze e cila është rrëmbyer nga organizata ish-terroriste e moxhahedinëve iranianë që kur ishte 17 vjeç po u shkruajmë këtë letër publike për të kërkuar ndihmë.

Ndodhemi në Shqipëri që më 5 korrik 2018 dhe kërkojmë të takojmë vajzën tonë e cila mbahet e izoluar nga komanda e lartë moxhahedine në Kampin e Manzës në Durrës. Kemi bërë përpjekje me Ministrinë e Brendshme, me policinë dhe së fundmi i jemi drejtuar edhe gjykatës dhe kërkojmë të takojmë dhe lirojmë vajzën tonë nga organizata xhihadiste që e mban peng prej 21 vitesh. Me gjithë përpjekjet tona të një pas njëshme, komanda moxhahedine po bën çmos që vajza jonë të mos takohet me ne prindërit e saj. Duke e kërcënuar, shpifur, gënjyer dhe përdorur dhunë psikologjike, moxhahedinët i thonë vajzës sonë që ne prindërit e saj jemi agjentë iranianë që punojmë për Ministrinë e Inteligjencës së Iranit dhe kemi ardhur në Shqipëri që ta marrim dhe ta bëjmë skllave për mullahët e Iranit. Në anën tjetër ata i kanë hequr asaj lirinë e daljes nga kampi dhe ajo mbahet nën vëzhgim të rreptë nga komanda moxhahedine e cila frikësohet se në qoftë se vajza jonë takohet me ne, ajo mund të braktisë xhihadin dhe bashkohet me familjen e saj në Kanada. Largimi i Sommayes nga MEK-u do jetë një problem i madh për ata, pasi Sommayeh di shumë krime të organizatës.

Z. Sojati

Ju besoj keni parë në media sesi moxhahedinët më rrahën mua në datë 27 korrik 2018 pranë medresesë në Tiranë. Moxhahedini Humayun Deyhim, një person që ka kryer krime në Irak më ndaloi në rrugë dhe sëbashku me 7 moxhahedinë të tjerë, më shtyu, goditi dhe më quajti terrorist. Si pasojë e goditjeve të tyre unë përfundova në spital. Më pas kur shkuam në stacionin e policisë nr. 4 komanda moxhahedine e përbërë nga Behzad Saffari, Jila Deyhim dhe Ahmad Taba (persona që kanë bërë krime në Irak) solli me vete rreth 50 moxhahedinë që rrethuan stacionin e policisë nr. 4 dhe terrorizuan avokatët dhe policët e rajonit dhe na quanin terroristë.

Në datë 10 gusht 2018, moxhahedinët dhe mbështetësit e tyre sulmuan edhe gazetarët e kanalit 4 britanik të kryesuar nga zonja Lindsey Hilsum e cila më ka intervistuar mua dhe zonjën time mbi rrëmbimin e vajzës sonë. Përpara pak ditësh ata ofenduan si agjentë iranianë edhe dy gazetarë nga gazeta britanike The Guardian, të cilëve nuk u dhanë akses brenda kampit të tyre për të parë Sommayen.

Sjellja e dhunshme e moxhahedinëve kundër gazetarëve dhe prindërve të personave që ata mbajnë peng në organizatën e tyre është e vjetër. Mua më kanë sulmuar me bomba në hotelin Mansur në Bagdad në Irak në vitin 2006 kur kërkoja të takoja vajzën time dhe kanë dërguar vrasës me pagesë që të më vrasin. Unë jam gjallë falë marinsave amerikanë që më shpëtuan në Irak. Këto fakte tregohen në dokumentarin që kam prodhuar për vajzën time i cili gjendet këtu:

Z. Sojati

Unë dhe gruaja ime kemi frikë të shkojmë në kampin e Manzës që të takojmë bijën tonë, pasi nëse shkojmë aty MEK-u ose do na vrasë, ose do na rrahi sikur gazetarët britanik dhe nuk do na lejoj të takojmë bijën tone të cilën nuk e kemi parë prej 15 vitesh.

Kemi mësuar nga moxhahedinët që kanë braktisur xhihadin, që MEK-u na përgjon dhe na ndjek këmba këmbës në Tiranë. Jemi të frikësuar për sigurinë tonë tani që MEK-u di vend ndodhjen tonë, por shpresojmë që policia dhe forcat e sigurisë shqiptare do na sigurojnë jetën.

Z. Sojati

Qeveria juaj ka një projekt për deradikalizimin dhe luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Ky projekt ka si target personat që kanë marrë pjesë në konflikte të huaja. MEK-u është një organizatë xhihadiste me histori të gjatë radikalizmi dhe ekstremizmi të dhunshëm, e cila duke thyer kodin penal të Shqipërisë dhe ligjet kundër terrorizmit kërkon të bëj luftë kundër një vendi të huaj. Ata janë sikur xhihadistët e ISIS-it. Ne mendojmë që ata duhet të bëhen pjesë e projektit tuaj deradikalizues.

Nëse lexoni deklaratat që komanda xhihadiste e Manzës (nën emrin Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit) lëshon kundër meje, gazetarëve dhe ekspertëve të terrorizmit që na mbështesin ju do kuptoni që MEK-u ëndërron vetëm luftë dhe xhihad. Anëtarët e tyre që nuk shohin televizor, nuk kanë internet, nuk kanë telefona, nuk martohen, nuk lejohen të flasin me familjet e tyre dhe nuk dinë se ç’ndodh në botë, indoktrinohen përditë me përralla se Irani do i vrasë, ka sjellë agjentë dhe si pasojë këta duhet të bëjnë xhihad për të përmbysur regjimin aktual në Iran. Komandantët e MEK-ut nuk ndryshojnë nga imam Genci Balla apo muxhahedini Lavdrim Muhaxheri të cilët bënin xhihad në Siri dhe Irak dhe luftonin qeveritë e këtyre vendeve.

Pjesë e këtij indoktrinimi moxhahedin është edhe vajza ime, e cila mbahet në gjendje frike dhe e radikalizuar nga MEK-u dhe na sheh ne prindërit e saj si agjent iranian, dhe ëndërron të shkoj dhe bëj xhihad në Iran. Vajza jonë indoktrinohet me përralla dhe gënjeshtra sikur xhihadistët shqiptarë që ju bashkuan xhihadit në Siri.

Si koordinator kombëtar kundër ekstremizmit të dhunshëm ne kërkojmë nga ju, që në programet tuaja kundër ekstremizmit të merrni edhe vajzën tonë. Ne duam që ju ta nxirrni vajzën tonë nga kampi moxhahedin dhe ti tregoni që në Shqipëri nuk ka agjentë iranianë, se xhihadi është i ndaluar me ligj, dhe ne prindërit e saj i duam të mirën dhe ajo nuk duhet të na shohë si qafirë dhe tradhëtarë të MEK-ut që duhen vrarë. Duam ti mësoni normat e demokracisë, shoqërisë liberal-demokratike, rëndësinë e lirisë, mendimit të lirë, tolerancën dhe bashkëekzistencën paqësore me njerëzit e feve dhe bindjeve të ndryshme. Duam ti mësoni që ajo nuk bën mëkat nëse vjen të jetojë në Kanada, dhe Kanadaja nuk është shtet qafirësh, por është një vend i mirë ku muslimanët, të krishterët dhe njerëzit e feve të tjera jetojnë në paqe dhe harmoni.

Nëse ju do të arrini që të nxirrni vajzën tonë nga kampi xhihadist i Manzës dhe ta deradikalizoni, kjo do jetë një fitore e madhe për ne, familjen e saj por edhe për Shqipërinë e cila është e vendosur në luftën e saj kundër radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Nuk e dimë nëse komanda e lartë moxhahedine do e lejoj Sommayen që të dalë nga Manza dhe deradikalizohet nga zyra juaj, por mendojmë se ju jeni personi i duhur dhe kompetent për të shpëtuar vajzën tonë nga radikalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm.

Me nderime dhe shpresë,

Prindërit e Sommayehs

Mostafa Mohammadi dhe Rubabe Hamza

http://fxmedia.al/2018/08/20/babai-i-iranianes-leter-keshilltarit-te-kryeministrit-mek-mban-peng-vajzen-time-prej-21-vitesh/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button